Nga Gjergj KOLA
Futbollisti me origjinë nga Shkodra, Justin Ferizaj (Puka), i cili luan në rolin e sulmuesit anësor (winger), në janar mund të lërë kombëtaren irlandeze dhe t’i bashkohet Shqipërisë. Lajmi ka ditë që qarkullon në ambientin sportiv shqiptar dhe së fundi konfirmohet edhe nga burime pranë lojtarit.
Gazeta “Shkodra Sport” në mënyrë eksluzive mëson se pjestarë të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë kontaktuar me të atin e lojtarit dhe i kanë shprehur dëshirën që Justin në të ardhmen të veshë fanellën kuqezi. Nga sa mësojmë, gjithçka është lënë e hapur dhe në muajin janar me shumë mundësi do të ketë një bisedë të dytë dhe ndoshta edhe një vendim përfundimtar.
Kujtojmë që Justin Ferizaj ka lindur dhe është lindur në Irlandë nga dy prindër shkodranë që kishin emigruar në atë vend dhe është formuar si futbollist tek Akademia e njohur e Shamrock Rovers, ndërkohë që prej verës së vitit të kaluar kartoni i tij është blerë nga klubi italian i Frosinones me të cilin ka firmosur një kontratë trevjeçare.
Po luan aktualisht me ekipin U20 të këtij klubi, me të cilin në sezonin aktual ka qenë prezent në fushë në 7 ndeshje, ku ka shënuar edhe një gol. Por ndërkohë Justin shpeshherë është në stërvitje me ekipin e parë të Frosinones dhe drejtuesit e tij e shohin si një element me shumë të ardhme.
Gazeta “Shkodra Sport” ju sjell në mënyrë eksluzive edhe këtë takim që presidenti Armand Duka ka patur me futbollistin Justin Ferizaj pak kohë më parë në Shkodër dhe menjëherë kur ai e ka mësuar se ku luan dhe kë përfaqëson, ka marrë ftesën nga numri 1 i futbollit shqiptar për të veshur fanellën kuqezi. Dhe kjo me shumë mundësi do të bëhet realitet në muajin janar kur futbollisti të bëhet pjesë e kombëtares U21 të Shqipërisë./www.shkodrasport.com/