Një gafë e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri është duke bërë xhiron e internetit. Në një takim me njerëz të botës së sportit, teksa po diskutohej për Vllazninë, Pjetri ka bërë gafën e madhe, teksa deklaroi se do e çonte Vllazninë në Kategorinë e Parë.
“Vllaznia nuk po arrin të kalojë aty ku e ka vendin. Kam marrë shumë shqetësime nga tifozë të ndryshëm dhe pyetja kryesore është: Valdrin, çfarë do të bësh me Vllazninë nesër? Në konsultë edhe me mjeshtrat e sportit, por edhe duke parë anën ekonomike, propozimi ynë është fillimi i procedurave për privatizimin e KF Vllaznia.
Vetëm atëherë ne mund të çojmë Vllazninë në Kategorinë e Parë dhe t’i japim Vllaznisë as më shumë e as më pak, por atë që meriton. Ja kemi borxh dhe borxhet duhet me i la. Koncepti ynë është që Vllaznia të privatizohet”, u shpreh kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri.
Kjo deklaratë e tij nuk është kapërdirë dot nga tifozët shkodranë, të cilët kanë vërshuar në një lumë sharjesh në rrjetet sociale. Gafa e Pjetrit, i ka “tërbuar” tifozët kuqeblu.