Franca do të presë në Paris Irlandën në kualifikueset e Europianit të 2024, me “gjelat” që kërkojnë të mbyllin sa më shpejtë çështjen e kualifikimit.
Përpara këtij takimi, trajneri Didie Deshamp do të dilte në konferencën për shtyp i shoqëruar nga kapiteni Kilië Mbape, por duket se ka qenë vetë tekniku që nuk e ka lejuar një gjë të tillë.
Në vend të Mbapes, Deshamp zgjodhi që në krah të kishte Antuan Grizman dhe kjo zgjedhje ka ardhur për të shmangur pyetjet që gazetarët do t’i bënin yllit të “gjelave” rreth PSG-së dhe Realit të Madridit.
“Nuk është detyrim që gjithmonë të kesh prezent kapitenin. Siç e shikoj unë, këtu duhet të shfaqësh interes për kombëtaren e Francës. E di shumë mirë që ju jeni të interesuar rreth Kiliës. Nuk mendoj se do të kishte shumë pyetje rreth ndeshjes me Irlandën nëse ai do të ishte këtu. Unë vendos interesin kolektiv në fillim.
Shpresoj që çdo gjë ka shkuar mirë me Antuan, edhe pse ju bëtë sërish pyetje për Kiliën. Mbape po bën shumë mirë. ai është bashkuar me klubin e tij dhe po bën më të mirën në çdo ndeshje. Ai është fizikisht dhe moralisht shumë mirë, ai është këtu me rolin e kapitenit”, përfundoi Deshamp.