Vedat Muriqi është një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit turk dhe një sërë klubesh, përfshirë edhe Totenhem apo Lacio, duan ta transferojnë në këtë dritare merkatoje. Fenerbahçe e ka nën kontratë deri një verën e vitit 2023 dhe Muriqi ka luajtur vetëm një sezon në Stamboll.
Gjithsesi, në Turqi flasin për probleme financiare të Fenerbahçes për shkak të pandemisë. Kështu, klubi mund të vendosë të shesë sulmuesin dhe të interesuarit duhet të nisin ofertat e tyre nga 20 milionë eurot. Megjithatë, Muriqi vazhdon t’i shprehë dashurinë klubit turk dhe së fundmi është shprehur se dëshiron ta mbyllë karrierën te Fenerbahçe.
“Unë i shërbej komunitetit që kam ëndërruar. Dua të fitoj tituj kampioni këtu dhe të korr sukses të madh në Europë. E kam thënë gjithmonë dhe vazhdoj të them se dua të përfundoj karrierën këtu”, u shpreh Muriqi për mediet turke. /vipsport/