Një ditë para ndeshjes me Tiranën u hap merkatoja e Vllaznisë, që ishte bllokuar nga FIFA për shkak të disa detyrimeve të pashlyera ndaj ish-lojtarit Boshnjaku dhe një klubi maltez.
U federuan dy afrimet e deritanishme të kësaj skuadre, Repaj dhe Mensaj, por të hënën e 13 janarit FIFA e ka bllokuar sërish merkaton kuqeblu. Të paktën kështu rezulton në sistem, teksa dje është konfirmuar nga “Panorama Sport”.
Për momentin nuk është e qartë se për cilin lojtar apo lojtarë është marrë vendimi i fundit nga ana e organizmit që drejton futbollin botëror, por duket se telashet në këtë drejtim nuk po i ndahen klubi shkodran.
Mbetet për t’u parë, nëse janë sërish detyrimet e njohura më parë, apo ka ndonjë borxh të ri. Drejtuesit e Vllaznisë kanë gati afrimet e radhës në skuadër, por më parë duhet të zhbllokojnë merkaton për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër.