Vllaznia ka bërë gjashtë afrime në këtë merkato, duke afruar futbollistë që kanë luajtur jo vetëm në Superiore, por edhe me gjërë. Megjithatë, këto afrime nuk i heqin mundësinë të rinjve për të qenë pjesë e skuadrës së parë.

Kështu, nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, drejtuesit i kanë ofruar një kontratë profesioniste edhe mesfushorit Elidon Dulaj, i cili ka spikatur këtë sezon me skuadrën U-21. 22-vjeçari ishte nga më të dalluarit me skuadrën e U-21, skuadër me të cilën fitoi edhe titullin kampion për këtë grupmoshë.

Poashtu, edhe mbrojtësi Gledjan Pusi pritet të nënshkruajë një kontratë profesioniste me Vllazninë. Lajmi konfirmohet nga vetë burime zyrtare pranë klubit kuqeblu.

Në 26-ndeshje të luajtura, Dulaj arriti të shënojë gjashtë gola, ndërsa edhe Pusi po në 26-ndeshje të luajtura, ka shënuar edhe ai gjashtë gola, edhe pse luan si qendërmbrojtës. Realisht, si Dulaj, ashtu edhe Pusi ishin dy ndër futbollistët më kyç të formacionit të trajnerit Elvis Plori sezonin që sapo lamë pas, ku fituan titullin kampion për këtë grupmoshë.
Maringlen ZHIVANI