Eraldo Çinari është vendosur në epiqendër të merkatos së klubeve shqiptare, por jo vetëm. Sipas “Panorama Sport” sulmuesi shkodran është larguar nga ekipi i Ligës së Parë turke, Samsunspor, teksa është pranë akordit me Shkëndijën e Tetovës.

Edhe pse për shkodranin ka pasur interes nga Vllaznia dhe Partizani për një rikthim të mundshëm në Kategorinë Superiore, duket se sulmuesi ka zgjedhur një aventurë të re në Maqedoninë e Veriut.

26-vjeçari është një lojtar që mund të përshtatet jo vetëm në krahët e sulmit, por mund të luajë edhe në qendër si pykë e mirëfilltë.

Mësohet se Çinari e ka paditur Samsunsporin në FIFA, pasi pretendon se klubi turk nuk i ka shlyer detyrimet që i takonin për kontratën që ka firmosur.

Ai nuk është federuar këtë sezon nga turqit dhe kësisoj lojtari pretendon se ndërprerja e kontratës është bërë në mënyrë të njëanshme, prandaj dhe tani pret të shpërblehet pas vendimit që do të marrë FIFA.