Ish-trajneri i Vllaznisë, Goce Sedloski, do të nisë një aventurë të re në Maqedoninë e Veriut. Ai është prezantuar te skuadra e Rabotniçkit, në elitën e futbollit të Maqedonisë.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi maqedonas, nëpërmjet faqes zyrtare, teksa bëhet me dije se trajneri maqedonas ka lidhur kontratën për të drejtuar skuadrën e Rabotniçkit. Po ashtu, mësojmë se Sedloski ka marrë me vete edhe ndihmësin që ka patur te Vllaznia, Toni Meglenski.
Vlen të theksohet fakti se këtë edicion, Rabotniçki është në vendin e gjashtë në kampionat me 19 pikë në 14 ndeshje, 9 më pak se kreu i renditjes, me maqedonasit që duket se janë larg synimeve të tyre që kishin në fillimin e sezonit.
Megjithatë, tashmë me emërimin e Goce Sedloskit në krye të Rabotniçkit, gjërat pritet të ndryshojnë, me ish-trajnerin e shkodranëve që duket se është gati për këtë aventurë të re, që vjen pasi u largua nga Vllaznia në fundin e sezonit që sapo lamë pas./SHKODRA-SPORT.COM/