Edhe këtë herë trajneri Ilir Daja nuk do ta ketë grupin e lojtarëve të plotë, por do të ketë më shumë alternativa se javët e fundit. Ai ka humbur Gudiabin për shkak kartonësh, ndërkohë që nga skualifikimi kthehet Meksi. Portieri Sali, edhe pse gjatë javës është stërvitur me grupin, ka shumë javë që mungon dhe pritet që ndeshjen me Vllazninë ta nisë nga stoli.

Një situatë e ngjashme me atë të kapitenit Dita, i cili është i gatshëm, por nuk ka gjendjen optimale dhe gjasat janë që të mos e nisë titullar këtë sfidë.

Katërshja e mbrojtjes pritet të jetë me Meksin dhe Lorran nga krahët dhe Hoxhën e Alijin në qendër. Në mesfushë, Toli dhe Qefalija me shumë mundësi do të kenë Karambën si lojtarin e tretë, por gati është edhe Jonuzi.

Në repartin e sulmit, me shumë mundësi do të aktivizohen Zabërgja, Nani dhe Bregu. Mandela është afër rikuperimit dhe stafi teknik do të shohë deri në momentin e fundit, por gjasat janë që nigeriani të mos rrezikohet në këtë ndeshje, për të qenë plotësisht gati ndaj Laçit. Blutë vijnë nga 3 barazime radhazi dhe sot synojnë vetëm 3-pikëshin.