Paulin Ndoja, legjenda e portës shkodrane, mbylli sytë pasditen e së mërkurës të 16 prillit. Ai u nda nga jeta në Itali, pranë familjarëve të tij, duke mos mundur dot t’i rezistojë problemet shëndetësore që e kishin shqetësuar tre muajt e fundit.
Ndërkohë gazeta “Shkodra Sport” mëson se ditën e sotme është plotësuar edhe dokumentacioni përkatës në strukturat e shtetit italian dhe trupi i tij do të niset mbrëmjen e nesërme drejt Shqipërisë dhe do të mbërrijë në portin e Durrësit pasditen e së dielës.
Po ashtu, Klubi i Futbollit Vllaznia dhe Bashkia Shkodër kanë vendosur të organizojnë homazhe në nderim të kësaj figure të madhe të futbollit shkodran dhe shqiptar dhe këto homazhe do të zhvillohen ditën e hënë nga ora 10:00 deri në 12:00 në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”.
Në këtë mënyrë, të gjithë shkodranët dhe jo vetëm, do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e tyre një prej kollosëve të futbollit i cili u nda nga jeta në moshën 79 vjeçare.(www.shkodrasport.com)