Një orë para ndeshjes në Shijak, ndodhi çudia te Valbona. Trajneri Vladimir Gjoni ka hyrë në dhomat e zhveshjes duke i dorëzuar ndihmësit të tij Osman Qelia, skemën e lojës si dhe formacionin e skuadrës për këtë ndeshje.

Ai ka deklaruar, se nuk do të jetë trajner i ekipit dhe ka preferuar ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, së bashku me drejtuesit e klubit Valbona. Drejtuesit e klubit nuk e kanë pranuar dorëheqjen e Vladimir Gjonit, i cili për “Panorama Sport” tregon arsyet e vendimit të tij. “Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë futbollistët me të cilët punova.

Është kënaqësi e madhe. Dëshira ishte shumë e madhe për ta vazhduar. Unë nuk jam tip që dorëzohem lehtë, por për shkak të disa problemeve edhe personale, vendosa që më mirë të merrem me ato dhe të mos vazhdoj më të drejtoj ekipin. Dëshira ishte për të arritur objektivin për të mos rënies nga kategoria.

A ndikoi humbja me Burrelin? Absolutisht nuk ka lidhje me humbjen ndaj Burrelit, sepse ne vinim nga disa rezultate pozitive. Po zhvillonim lojëra të mira dhe gjithkujt mund t’i ndodhë si ajo humbja me Burrelin. Thjeshtë janë ca arsye që për mua janë personale, nuk kanë lidhje fare me ndeshjen ndaj Burrelit. I uroj Valbonës vetëm fitore.

Do Zoti shpëton nga rënia nga kategoria. Dorëheqje, apo shkarkim? Vendimi është i imi dhe nuk ka lidhje me shkarkimin. Ne ramë dakord të dy palët për sa i përket asaj që unë të mos vazhdoj më. Ata më mirëkuptuan. Unë i mirëkuptoj të gjithë drejtuesit e klubit si dhe vetë presidentin. Ky ishte një vendim i përbashkët. Unë në këto momente vendosa të mos vazhdoj më si trajner i Valbonës”, u shpreh trajneri Gjoni për gazetën.