Nga Maringlen ZHIVANI

Kombëtarja U-21 do të luajë ditën e sotme ndeshjen e parë miqësore të marsit ndaj Greqisë. Pjesë e listës së futbollistëve që trajneri Alban Bushi ka grumbulluar për miqësoret e marsit janë edhe dyshja që kanë shkëlqyer këtë sezon te Vllaznia, pikërisht portieri Aron Jukaj dhe sulmuesi anësor Kevin Dodaj.

Të dy ata, falë paraqitjeve pozitive me Vllazninë, prej ditësh kanë qenë nën urdhrat e trajnerit Bushi dhe në fakt, kanë rënë në sy për mirë në seancat stërvitore të zhvilluara në Korçë.

Nga sa mësohet nga burime pranë stafit teknik të Kombëtares U-21, sulmuesi Kevin Dodaj pritet të jetë në fushë ditën e sotme në miqësoren ndaj Greqisë, për ta nisur si titullar në krahun e majtë të repartit ofensiv.

Ndërkohë që, nuk përjashtohet mundësia edhe futbollisti tjetër i Vllaznisë, portieri Aron Jukaj, të marrë minuta ndaj Greqisë ose ndaj Luksemburgut në miqësoren tjetër. Takimi i 21-vjeçarëve Greqi-Shqipëri do të luhet sot në stadiumin “Serres Municipal” të Selanikut, në orën 16:00.(www.shkodrasport.com)