Pas largimit të Ergys Lugës pak ditë më parë nga pankina e Erzenit, vjen një tjetër largim nga një tjetër skuadër e kategorisë së parë. Bëhet fjalë për trajnerin e Apolonisë Sedat Pajaziti. Aventura e tij tek pankina fierake nuk ka zgjatur as shtatë muaj.
Erdhi në fund të shtatorit dhe largohet pa u mbyllur ende marsi. Vlen për t’u theksuar se në verë u afrua tek Apolonia si drejtor teknik dhe në shtator u konfirmua si pasuesi i ish-trajnerit Artan Mërgjyshi. Apolonia nuk po kalon një moment të mirë në fazën e tretë të Kategorisë së Parë. Pas gjashtë ndeshjesh të kësaj faze, fierakët kanë marrë një fitore, tri barazime dhe dy humbje, që e kanë lënë jashtë pritshmërive dhe objektivave të fillimit të sezonit.
Situata po reflektohet javë pas jave, pasi Apolonia u rikthye te fitorja në shtëpi pas 50 ditësh, kundër Valbonës me rezultatin 2-1. Ishte një takim që u zgjidh me shumë vështirësi dhe vonë nga ana e fierakëve. Presidencës nuk i ka pëlqyer aspak si shkoi ndeshja e fundit, ndonëse u arrit fitorja. Ndaj, të hënën në mbrëmje, u zhvillua një mbledhje në klub dhe në fund u vendos me konsensus për të ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin.
Edhe pse tekniku mori përsipër që të drejtonte një ekip ku dominonin të rinjtë dhe pa përvojën e duhur, drejtuesit prisnin të tjera rezultate. Bëhet e ditur se drejtuesit më të lartë fierakë nuk kanë dashur vijimin e punës, si pasojë e mungesës së theksuar të rezultateve dhe të qenurit jashtë pritshmërive dhe objektivave të fillimit të sezonit.