Thomas Brdariç e ka “hartuar” formacionin që do të zbresë sot në fushë në orën 17:00 kundër Elbasanit. Vllaznia pret verdheblutë në Shkodër në kuadër të ndeshjeve të kthimit për çerekfinalet e Kupës. Dueli i parë mes dy skuadrave ka përfunduar në shifrat 0-0, duke lënë në këtë mënyrë gjithçka të hapur për kualifikimin. Për këtë arsye, tekniku gjerman i kuqebluve duket se nuk nënvlerëson aspak një duel të tillë.
Kështu, për nëntë herë kampionët e vendit, në fushë pritet të prezantohet formacioni më i mirë i mundshëm. Nga porta do ta nisë Jukaj, me Qarrin, që vijon të jetë mungesë. Në mbrojtje do të rikthehen titullarë, si: Bajrami dhe Jago, ku së bashku me Gurishtën dhe Stojanoviçin pritet të kompletojnë repartin e prapavijës.
Mesfusha e kuqebluve pritet të ketë shumë muskuj dhe kilometra në këtë duel, me treshen Krymi-Sala-Deliu, që pritet të formojnë këtë repart. E ndërsa në sulm pritet rikthimi i Malës në të djathtë, me prizrenasin, që është aktivizuar si mesfushor në duelet e fundit në kampionat.
Për të kompletuar formacionin kuqeblu, do të jenë edhe Dodaj në të majtë dhe Balaj në majë të repartit të avancuar. Tifozët kuqeblu presin fitoren dhe kualifikimin sot nga Vllaznia dhe duhet pritur se çfarë do të ndodhë në 90 minutat e sfidës së pasdites.