Problematikat e shumta që kanë shoqëruar Vllazninë këtë sezon me repartin e mbrojtjes, kanë bërë që kuqeblutë të jenë një ndër ekipet më të ndëshkuara në Superiore. Jo vetëm niveli i shfaqur nga reparti i prapavijës, por edhe dëmtimet kanë qenë të shumta në këtë sektor.

Të gjithë futbollistët e mbrojtjes shkodrane kanë pasur ndalesa të ndryshme gjatë këtij sezoni. Më i fundit është Serjan Repaj, me shtatlartin që u afrua në merkaton e janarit, por që nuk ka pasur mundësi të tregojë vlerat e tij.

E te Vllaznia duket se këto javë të fundit të kampionatit mund të ketë një “rikthim”. Fjala është për Marko Juriç, mbrojtësi kroat, i cili kishte dalë jashtë planeve të ekipit që nga dhjetori i vitit të shkuar.

Kështu, 29-vjeçari është parë të angazhohet më shumë në stërvitjet e shkodranëve. Duke treguar një formë të mirë sportive dhe kroati mund të konsiderohet alternativë në këtë epilog të sezonit. Kujtojmë që Juriç nuk zbret në fushë në një ndeshje zyrtare për Vllazninë prej më shumë se 4 muajsh. Ish-futbollisti i Siroki-t është aktivizuar për herë të fundit në ndeshjen Vllaznia-Dinamo (2-3), në datën 04.12.2024.