Tekniku i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ka ndërprerë dje stërvitjet e ekipit të tij. Ai, pavarësisht se një ditë më parë kishte ekzaminuar të gjithë lojtarët, sërish u është bindur vendimeve të mbërritura dhe që dje ka ndërprerë stërvitjet.

Dje ai kishte thirrur skuadrën për një proces stërvitor, i cili do të fillonte në orën 15:00, po në të njëjtin orar ai u ka komunikuar lojtarëve të tij se do t’i rikthehen stërvitjes ditën e hënë, gjithmonë nëse organet kompetente do të thonë se ka kushte optimale për t’iu rikthyer punës.

Tekniku vlerëson gjendjen e mirë dhe higjienën optimale që është vënë re në skuadër nga mjekët e ekipit. “Ekipi bëri një test të Koronavirusit dhe për fat shumë të mirë të gjithë janë negativë.

Skuadra ka marrë udhëzimet e nevojshme higjienike. Skuadra do të jetë pushim të paktën deri të hënën dhe do të ndjekim situatën dhe udhëzimet nga autoritetet kompetente dhe do të veprojmë në përputhje me rrethanat”, është shprehur tekniku Jonuz.