Eshtë minuta e 18-të e ndeshjes Vllaznia-Skënderbeu dhe Çarls Atsina humbet një rast ideal goli, duke i hequr ndërkohë pa dashje “kafshatën nga goja” Edon Hasanit, shokut të skuadrës që ishte pas tij. Gjëra që ndodhin në futboll, siç tha pas ndeshjes edhe trajneri i shkodranëve, Ernest Gjoka. Atë episod e tregon me detaje për “VIP SPORT” vetë Edon Hasani, i cili shprehet:
“Ishte një moment kur mund të shënonim dhe ta fusnim ndeshjen në një rrjedhë tjetër. Çfarë i thashë Atsinës? Në nerva loje e sipër i fola në shqip: E jemja, ca ju tu ba mor burrë? Isha ngjitur me të dhe gati u shkapetëm. Ai më tha se nuk më kishte kuptuar. Në fakt, duhej t’i kisha folur në anglisht, sepse ndoshta Atsina e ka edhe më të vështirë ta kuptojë dialektin shkodran. Më erdhi keq në fakt që i fola, por ishin vetëm nervat e lojës.
U habita si gjuajti me të djathtën në atë rast, pasi shumë mirë mund të gjuante më të majtën. Ndoshta besoi se do ta bënte golin. Pati edhe një rast tjetër, kur mund të më kishte pasuar dhe në fakt atë deshi të bënte, por nga lodhja ia dha topin Radasit. Atsina duhet ta mësojë pak më shpejt shqipen, që të merremi vesh më mirë”.t
Hasani flet më tej edhe për ndeshjen në përgjithësi dhe gjendjen e Vllaznisë pas fazës së parë të kampionatit: “Kishim mundësi për pikë në atë ndeshje, sepse kishim disa raste të pastra shënimi, kur rezultati ishte 0-0. Nëse do të kishim shënuar ne të parët, loja do të kishte marrë rrjedhë tjetër dhe me siguri do të kishim marrë pikë në Korçë.
Eshtë për të ardhur keq, kur shkon puna kështu. Sepse, shikoni ku jemi në renditje… Kemi lënë shumë pikë dhe duhet të ngjitemi gradualisht. Kemi ndoshta një kalendar më të mirë në fazën e dytë dhe Vllaznia duhet të fillojë të rritet për të përmirësuar pozicionin në klasifikim,”, – ka thënë mesfushori shkodran, i cili në ndeshjet e fundit po luan më afër sulmit.