Mauricio Sarri detyron Çelsin të bëjë ndryshime të mëdha, jo vetëm në grupin e lojtarëve që ka në dispozicion, por edhe në ambientet e stadiumit. Gjithçka ka lidhje me dashurinë që ka trajneri për duhanin, që është bërë shpesh objekt diskutimesh edhe gjatë viteve të tij te Napoli.

Trajneri konsumon 4-5 paketa cigare në ditë dhe e ka të pamundur të qëndrojë pa to edhe gjatë ndeshjeve. Nëse në Napoli, në ambientet e brendshme të stadiumit atij i lejohej ky ves, në Angli situata është ndryshe, pasi tekniku nuk lejohet ta bëjë një gjë të tillë në “Stamford Bridge”.

Sarri ishte i ndërgjegjshëm për këtë ndryshim drastik, por klubi i Çelsit po bën të pamundurën që gjithsesi ta ndihmojë atë të përshtatet dhe të ketë mundësinë të vazhdojë “pasionin” e tij të dytë pas futbolit.

Në ambientet e brendshme të stadiumit, sipas rregulloreve, po ndërtohet një dhomë e posaçme për duhanpirësit, ku sigurisht Sarri do të jetë frekuentuesi numër një.

Problemi është që Sarri duhet të pijë cigare aty vetëm para fillimit të ndeshjes, pasi do ta ketë të pamundur që të konsumojë duhan gjatë takimit apo në pushimin e tij, kur do të jetë i zënë duke i dhënë udhëzimet ekipit. /vipsport/