Përfaqësuesja shqiptare e futbollit po përjeton një nga vitet më negative të historisë së saj, një rënie drastike në krahasim me ecurinë e disa viteve më parë kur kuqezinjtë siguruan pjesëmarrjen në Euro 2016. Këtë e pranon dhe Lorik Cana, ish-kapiteni i përfaqësues shqiptare i cili udhëhoqi kuqezinjtë në turneun në Francë.

“Ndoshta nuk jemi në formën më të mirë tani”, pohoi ai për “Herald Scotland”, duke folur për ndeshjen e sotme. “Skuadra nuk ka pasur një rrugëtim të mirë që nga Europiani për shkak të dëmtimeve, tërheqjes së lojtarëve apo gjëra të tjera”, shpjegoi ai arsyet e kësaj situate të veçantë.

Sipas Canës, ndoshta gjithçka vjen pikërisht nga kualifikimi në Europian, me pritshmërinë që rritet gjithnjë e më shumë. “Kur vjen nga një arritje aq historike sa kualifikimi për një turne madhor, atëherë është e vështirë të ecësh para sepse pritshmëria është shumë e madhe.

Në futboll shpesh nuk ke shumë kohë dhe ndoshta ne nuk kemi marrë ato rezultate që shpresonim. Por padyshim që do të kërkojmë të fitojmë këtë ndeshje ndaj Skocisë. Në duam medoemos që të jemi në një formë sa më të mirë para kualifikuesve të Europianit të vitit të ardhshëm.

Do të jetë shumë e vështirë që të arrijmë majën e grupit aktual, pasi do të na duhej të fitonim me katër gola dhe rezultati tjetër të ishte pozitiv për ne. Por skuadra me siguri do të kërkojë të fitojë këtë ndeshje të fundit para tifozëve tanë. Skocia e meritoi fitoren në ndeshjen e parë në Gllasgou, por sonte shpresoj që të jetë një ndeshje komplet ndryshe”, tha Cana. /vipsport/