Marash Kumbulla më në fund ka arritur të bindi trajnerin Mourinho për aftësitë e tij, teksa në ndeshjen e mbrëmshme kundër Cagliar-it ishte më i miri në fushë.

Lidhur me mbrojtësin shqiptar ka folur për “TMW News” ish-lojtari i Romës, Luigi Garzya, i cili shprehet se gjithmonë ka menduar se blerja e Kumbullës ishte e duhura. Ish-mbrojtësi i verdhekuqve shton se 21-vjeçari është ndër të paktët në pozicionin e tij që di të markojë kundërshtarët.

“Disa muaj më parë u duk se duhej të dilte në merkato. Por unë gjithmonë kam thënë që mbrojtësit e Romës janë të fortë dhe blerja e Kumbullës ishte me vend. Ai është nga të paktët mbrojtës që di të markojë, falë edhe mësimeve të Juriçit.

Do ta mbaja tani, edhe sepse në këtë sesion merkatoje nuk do gjenit zëvendësues. Duhet ti besojmë këtij djali që është në vitin e tij të parë në një vend të vështirë si Roma dhe në çdo rast i ka të gjitha karakteristikat për të bërë mirë”, ka thënë Luigi Garzya.