Një nga mbrojtësit e përfaqësueses shqiptare të futbolli do të ndryshojë skuadër gjatë verës dhe tashëm duket se këtë e konfirmon edhe vetë klubi i tij.
Sipas mediave greke, Enea Mihaj nuk do të jetë më pjesë e Panetolikos që nga edicioni i ardhshëm, pasi ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha dhe ka siguruar që tani transferimin në një skuadër tjetër.
Mihaj ka spikatur duke luajtur rregullisht nën drejtimin e një emri të njohur si Traianos Dellas i cili ua ka rekomanduar atë kolegëve të tij që janë interesuar për mbrojtësin 20-vjeçar. Me sa duket, negociatat me një klub kanë përfunduar me sukses dhe Mihaj do të transferohet te një skuadër e re.
Mediat greke kanë mësuar se javën e kaluar një ekip jashtë Greqisë kishte kërkuar informacion te drejtuesit e Panetolikos për lojtarin, por përgjigja që kishin marrë kishte vënë vulën.
“Mos u interesoni për të, e kemi shitur”, ishin fjalët e klubit që kishte bërë të qartë se kishte nisur edhe kërkimin për zëvendësuesin e qendërmbrojtësit të përfaqësueses shqiptare.
Tani mbetet të mësohet se kush është ku klub dhe ku do të luajë Mihaj, të cilin përveç klubeve të mëdha greke, e ndiqte me interes edhe Benfika në Portugali. /vipsport/