Nicolo Zaniolo, mesfushori 19-vjeçar i Romës që ka bërë për vehte të gjitha skuadrat “big” të Serisë A, duket se e ka të qartë se çfarë do të bëjë sezonin tjetër. “Në fund të sezonit do të zhvillojmë një takim me drejtuesit e Romës për të diskutuar rinovimin e kontratës. Besoj se nuk do të kemi asnjë problem për të gjetur një marrëveshje”, u shpreh babai i lojtarit, Igor Zaniolo.
“Nga të gjitha palët ekziston dëshira e mirë për të vijuar bashkëpunimin edhe sezonin tjetër dhe kjo është e rëndësishme. Zërat që kanë qarkulluar kohët e fundit e kanë shqetësuar djalin tim, por ai dëshiron të vazhdojë të punojë i qetë për të nderuar fanellën e Romës”, u shpreh më tej babai i talentit të Serisë A. Zaniolo, në 29 ndeshje në total këtë sezon ka realizuar 5 gola.
Juventus është skuadra që më së shumti këmbëngul për ta blerë lojtarin, duke ofruar edhe një rrogë shumë më të lartë se ajo që Zaniolo përfiton aktualisht (700 mijë euro në sezon).
Ndërkohë që, orët e fundit është mësuar se për lojtarin është interesuar edhe agjenti i famshëm Mino Raiola, që synon ta ketë në patronazh, por lojtari ka refuzuar… për momentin./telesport/