Një lajm me të vërtetë i bujshëm vjen nga Britania e Madhe, ku një nga mediat më prestigjioze në vend, radio “talkSPORT”, raporton se një emër shumë i njohur i futbollit anglez kërkohet nga një klub shqiptar.
Bëhet fjalë për Mejzon Grinud, sulmuesin 21-vjeçar britanik, i cili vetëm tre ditë më parë u përjashtua përfundimisht nga Mançester Junajtid. Vendimi u mor pasi ai ka qenë në gjyq i akuzuar për përdhunim. Edhe pse akuzat ndaj tij u tërhoqën, klubi vendosi të mos kthejë më në skuadër djaloshin, pasi u përballur me reagimin e “djajve të kuq” ku shumë pjesëtarë të stafit të klubit kërcënuan me dorëheqje.
“Grinud ka qenë i lidhur me një lëvizje drejt kampionatit të Arabisë Saudite, te Al Itifaq, një histori për të cilën trajneri Stiven Xherard e cilësoi “fake news” në rrjetet sociale.
Tani, “talkSPORT” ka mësuar se një klub shqiptar ende i paidentifikuar ka shfaqur interes për të”, shkruhet në portalin e radios së njohur sportive britanike, e cila ka publikuar këtë lajm me të vërtetë të bujshëm.
Grinud ka luajtur 83 ndeshje me fanellën e Mançester Junajtid, duke shënuar 22 gola. Ai ka qene vazhdimisht pjesë e përfaqësueseve të moshave të Anglisë, ndërsa ka debutuar edhe me ekipin A në vitin 2020.