Valon Ahmedi do të jetë futbollisti më i ri i Vllaznisë. Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, drejtuesit e klubit dhe lojtari kanë gjetur akordin e përbashkët për një kontratë dy-vjeçare. Ahmedi kishte mbyllur kontratën e tij me Soligorsk në Bjellorusi dhe tashmë, duke qenë se ishte futbollist i lirë, do të jetë goditja “big” e Vllaznisë në këtë merkato të verës.
Ahmedi është mesfushor i avancuar, por që mund të luajë edhe pas sulmuesit kryesor. Po ashtu, 29-vjeçari mund të luajë edhe në dy krahët e sulmit. Këtë kampionat me Soligorskin në Bjellorusi, ai ka qenë në fushë në 9-takime, rreth 900-minuta dhe ka dhënë dy assiste.
Vlera e tij në merkato momentalisht është 750-mijë euro, ndërsa më parë ka luajtur me Shkëndijën e Tetovës. Palët kanë mbyllur gjithçka mes tyre dhe tashmë pritet vetëm që Ahmedi të zyrtarizohet si pjesë e kuqebluve, teksa me gjasa prezantimi i lojtarit do të bëhet gjatë ditës së nesërme.
Afrimi i tij do të jetë një plus i madh për Vllazninë, por edhe për organikën e trajnerit Thomas Brdariç. Në këtë mënyrë plotèsohet një tjetër kërkesë e trajnerit për plotësimin e skuadrës në repartin ofensiv me marrjen e këtij lojtari që ka luajtur edhe me kombëtaren shqiptare.
Maringlen ZHIVANI