Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Federata Shqiptare e Futbollit, ka konfirmuar takimin e trajnerit Silvinjo së bashku me ndihmësin e tij, me futbollistët Ernest Muçin dhe Armando Brojën.
Silvinjo, Doriva dhe Zabaleta, anë qënë këtë të shtunë në Londër për të zhvilluar një takim me sulmuesin, Armando Broja. Stafi teknik kuqezi është informuar për gjendjen e Brojës dhe ka dashur ta sigurojë se shëndeti i lojtarit është shumë i rëndësishëm për ta. Gjithashtu pas ndeshjes Legia-Aston Vila, drejtuesit e stafit kuqezi kanë darkuar me sulmuesin Ernest Muçi ku e përgëzuan për dy golat e shënuar dhe lojërat e mira si edhe për të diskutuar në lidhje me ndeshjet e ardhshme të Kombëtares, ku Muçi është element i rëndësishëm i saj.
POSTIMI I PLOTË I FSHF-së:
Trajneri i Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Junior së bashku me ndihmësit e tij Dorival Guidoni Junior dhe Pablo Zabaleta, kanë qënë këtë të shtunë në Londër për të zhvilluar një takim me sulmuesin, Armando Broja.
Tekniku kuqezi dhe ndihmësit e tij kanë një marrëdhënie të shkëlqyer me stafin teknik të Chelsea-t të udhëhequr nga Pochettino dhe stafi mjekësor i klubit anglez, që ka qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me stafin tonë për të informuar në lidhje me lojtarin. Broja u dëmtua në dhjetor të vitit të kaluar gjatë një ndeshje miqësore dhe ka 9 muaj që nuk luan, teksa rikuperimi po ecën shumë mirë.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se stafi teknik kuqezi është informuar për gjendjen e Brojës dhe ka dashur ta sigurojë se shëndeti i lojtarit është shumë i rëndësishëm për ta.
Ata e kanë inkurajuar Brojën që të rikthehet sa më shpejt në gjendjen e tij më të mirë dhe e kanë garantuar se do të jenë gjithmonë pranë tij për t’i dhënë mbështjen e duhur në këtë moment delikat për të. Gjithashtu, ata urojnë që lojtari të rikthehet sa më shpejt dhe të marrë minuta pas gjithë këtyre muajve të vështirë që ka kaluar.
Nga ana tjetër, stafi mjekësor i FSHF-së vazhdon të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e Chelsea-t dhe klubin anglez për të monitoruar situatën e tij.
Sakaq, Silvinjo dhe stafi tij kanë qenë ditën e enjte dhe në Varshavë për të ndjekur ndeshjen e Conference League, Legia-Aston Villa. Pas ndeshjes drejtuesit e stafit kuqezi kanë darkuar me sulmuesin Ernest Muçi ku e përgëzuan për dy golat e shënuar dhe lojërat e mira si edhe për të diksutuar në lidhje me ndeshjet e ardhshme të Kombëtares, ku Muçi është element i rëndësishëm i saj.