Armando Broja ende nuk e ka fituar vendin e titullarit tek Çelsi, megjithatë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes të shumë klubeve që shpresojnë ta bëjnë pjesë të tyre verën e ardhshme kur të rihapet merkatoja dhe zërat më të fundit e dërgojnë sulmuesin e kombëtares shqiptare në Itali.
Siç raporton gazetari i njohur italian, Karlo Pelegati, Milani është një prej këtyre klubeve dhe do të bëjë çmos për të arritur te shërbimet e 21-vjeçarit shqiptar.
“Një transferim i madh te Milani verën e ardhshme do të jetë një qendërsulmues i madh. Kuqezinjtë nuk do të kërkojnë një lojtar që vlen 10 milionë euro, por do të tentojnë një që vlen 30-40 milionë euro. Unë e kam një emër. Ai luan për Çelsin, është 21 vjeç. Sot kushton 25 deri në 40 milionë euro.
Ka shumë eksperiencë pavarësisht moshës së tij të re, është 191 cm i gjatë, është sulmues shqiptar që luan për “Blutë” dhe emri i tiji është Armando Broja. Është një lojtar interesant sa i përket kostos dhe perspektivës. Ishte në radarët e Napolit, kur kjo e fundit mund të humbte Osimhen. Vitin e ardhshëm Milanit i duhet një lojtar që ti japi garanci në sulm”, u shpreh gazetari 72-vjeçar.
Broja pritet të ketë më shumë minuta me trajnerin e ri, Graham Poter, por nëse e ardhmja e tij te Çelsi nuk ja garanton vendin e titullarit, ndoshta verën e ardhshme mund ta shohim sulmuesin e Kombëtares në një tjetër skuadër.