Hamdi Salihi nuk është më pjesë e stafit të Kombëtares shqiptare të futbollit. Ajo që kishte filluar të binte në sy që me ndeshjet e Ligës së Kombeve, tashmë është zyrtarizuar edhe nga vetë trajneri Silvinjo në konferencën e tij për shtyp.

Ai tashmë sheh si bashkëpunëtor shqiptar në staf vetëm Ervin Bulkun, teksa emri i Salihit është zhdukur edhe nga sektori përkatës i kuqezinjve në faqen zyrtare të FSHF-së. Një konfirmim i qartë erdhi edhe nëpërmjet fjalëve të brazilianit në konferencën e sotme për shtyp për grumbullimin e parë të Botërorit.

“Unë jam përgjegjësi, jam unë trajneri, e pastaj janë Doriva, Pablo e Bulku. Pastaj kemi anën teknike me Bushin dhe drejtorin Pea. Jemi të gjithë përgjegjës për vlerësimin teknik të lojtarëve”, tha dje Silvinjo para gazetarëve, duke lënë të kuptohet se nuk do të kishte kthim mbrapa për Salihin.