Paulo Pjeshka ka vendosur që ta vazhdojë karrierën e tij sërish te Flamurtari. Pas rinovimit të vëllait të tij, Denisit, me të cilin luajtën bashkë sezonin e shkuar në Vlorë, edhe Paulo do të jetë sërish pjesë e këtij ekipi, duke rrespektuar edhe një vit tjetër të kontratës që ishte firmosur që nga fillimi i ardhjes së tij.

Futbollisti shkodran mesa duket është ndjerë mirë tek Flamurtari sezonin e shkuar, skuadër ku e kanë vlerësuar, duke i dhënë hapësira edhe si titullar dhe për këtë arsye, Paulo Pjeshka ka vendosur për të luajtur edhe një sezon tjetër me kuqezinjtë. Lajmi është bërë i ditur edhe nga vetë mesfushori shkodran për “Shkodra Sport”.

“Kam vendosur që ta vazhdoj karrierën sërish te Flamurtari. Do jem sërish pjesë e këtij ekipi dhe do të rrespektoj edhe një vit tjetër të kontratës që kam firmosur që nga filimi i ardhjes time këtu. Në Vlorë jam ndjerë shumë mirë, pasi më kanë vlerësuar shumë”,-tha Pjeshka për “Shkodra Sport”.

Kujtojmë se, shkodrani është bërë pjesë e vlonjatëve sezonin e shkuar, ku ka luajtur në 27-ndeshje, 12-prej tyre si titullar në formacinin e kuqezinjve. Paulo Pjeshka është një futbollist i dalë nga Akademia Vllaznia, teksa është aktivizuar edhe me ekipin e parë kuqeblu, por duket se tashmë ka gjetur veten tek Flamurtari, ashtu sikurse edhe vëllai i tij, Denis Pjeshka.
Maringlen ZHIVANI