Tërbuni mbylli një sezon deri diku të suksseshëm, por në fund nuk ia dolën të arrijnë objektivin, ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe tashmë, drejtuesit kanë filluar të bëjnë planet për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ri. Gjëja e parë që kanë bërë ka qenë rikonfirmimi i trajnerit Sinan Bardhi edhe për periudhën në vazhdim.
Ndërkohë, një tjetër vendim që u përfol se mund të merrej ishte “transferimi” i skuadrës nga Shkodra drejt kryeqytetit, por kjo gjë duket se ka rënë poshtë. Nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se Tërbuni i sezonit të ri do t’i zhvillojë stërvitjet sërish në Shkodër.
Ndërkohë, që edhe skuadra pritet të jetë shumica e asaj që ishte në sezonin që u mbyll. Kryebashkiaku Rrok Dodaj dhe drejtori Alfred Pjetri po punojnë maksimalisht për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ri.
Njëkohësisht dhe për t’i krijuar të gjitha kushtet e mundshme për ngjitjen në Kategorinë e Parë, duke qenë se në fakt vitin e kaluar nuk kanë mbetur shumë të kënaqur. Ndërkohë që, edhe stërvitja nën drejtimin e trajnerit Sinan Bardhi pritet të nisë në fillimin e muajit gusht në Shkodër.
Maringlen ZHIVANI