Ekipi i Vllaznisë do të udhëtojë brenda dite drejt Korçës ditën e dielë për të luajtur ndeshjen e rradhës ndaj Skënderbeut. Edhe ndonjë shpresë e vogël për ndryshim të situatës, nuk është realizuar deri në fund. Drejtuesit e klubit të futbollit Vllaznia kanë qenë të pafuqishëm të gjejnë ndonjë zgjidhje tjetër dhe për këtë arsye, kanë vendosur që ekipi të udhëtojë edhe këtë herë brenda dite ndonëse distanca është edhe më e largët se në Ballsh. Për fat të mirë të tyre, Federata spostoi orarin e luajtjes së kësaj ndeshje nga 13.00 në 17.00 dhe kjo do t’u mundësojë kuqebluve të kenë më shumë kohë në dispozicion për udhëtimin apo dhe pushimin para ndeshjes.
Ky është një problem vërtetë i madh për Vllazninë, një skuadër e cila ka mbërritur deri këtu sa të mos ketë lekë për të udhëtuar ashtu siç duhet në transfertat para ndeshjes. Llogarit pastaj që do të luhet ndaj një skuadre si Skënderbeu që dje mundi 3-0 edhe Sportingun e Lisbonës!!! “Hallet” për shkodranët nuk përfundojnë këtu sepse trajneri Grima nuk do të ketë të gatshëm as dy prej pikave më të forta të skuadrës, portieri Dragojeviç dhe mbrojtësi i djathtë Arbri. Natyrisht që me këto mungesa, problemet shtohen edhe më shumë dhe stafi sigurisht që do ta ketë shumë të vështirë të ndërtojë një skuadër për të konkurruar korçarët në fushën e lojës dhe pse jo për të tentuar marrjen e një barazimi. Janë shumë gjëra që ndikojnë në këtë mes dhe padyshim edhe motivimi i futbollistëve por ata nuk kanë se si të motivohen më. Tre muaj pa rroga, zhurmë e madhe rreth tyre, udhëtim brenda ditës për ndeshje apo dhe shumë gjëra të tjera, kanë bërë që kjo Vllazni të shohë me shumë dyshim nga e ardhmja. Ndoshta nga e hëna e më pas, gjërat do të marrin rrjedhë tjetër dhe për këtë duhet pritur.
© shkodrasport.com