Fjalët që qarkulluan këto ditët e fundit për një ndërhyrje në tapetin e stadiumit “Loro Boriçi” rezultojnë të vërteta dhe këtë e konfirmon më së miri fakti se ndeshja e rradhës e Vllaznisë, ajo ndaj Laçit, nuk do të luhet në këtë stadium. Lajmi bëhet i ditur edhe nga përfaqësues të klubit shkodran të cilët tashmë kanë nisur të marrin masat për zhvillimin e këtij takimi në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe aprovimi nga FSHF është marrë për këtë punë. Për këtë arsye sot janë bërë edhe njoftimet përkatëse për këtë ndeshje që do të luhet të hënën në orën 14.00.

Meqenëse është ndërhyrë në tapetin e stadiumit, e sigurtë është se edhe ndeshja e javës tjetër, ajo ndaj Teutës, nuk do të luhet në “Loro Boriçi” por në “Reshit Rusi”. Vllaznia mund të rikthehet në stadiumin e saj vetëm në ndeshjen me Partizanin që do të luhet më 19 nëntor, një javë pasi aty të jetë luajtur ndeshja e kombëtares Shqipëri- Izrael. Kësisoj, shkodranët duket se nuk po i gëzohen ashtu si duhet ndërtimit të këtij impianti sportiv. Tifozët e këtij qyteti nuk kanë patur asnjë privilegj për të ndjekur ndeshjet e kombëtares dhe po ashtu tashmë, edhe skuadra e futbollit e tij, nuk po i gëzohet shumë të luajturit aty. Futbollistët kuqeblu deri më tani kanë shkelur vetëm dy herë në këtë stadium: vetëm për ndeshjet ndaj Kukësit dhe Flamurtarit. Tjetër herë jo dhe nuk do ta bëjnë këtë gjë edhe për një muaj tjetër!!!

© shkodrasport.com