Disa ditë pas rënies së Vllaznisë në Kategorinë e Parë, kryebashkiakja e Shkodrës, njëherësh edhe presidente e skuadrës, Voltana Ademi, vendosi të fliste “pa doreza”.

Ajo akuzoi hapur stafin teknik me në krye trajnerin Ernest Gjoka dhe lojtarët për mungesë impenjimi që gjashtë javë para fundit të kampionatit.

Sipas Ademit, stafi dhe lojtarët janë shkaktarët kryesorë të rënies së skuadrës nga Superiorja.

Në një reagim ekskluziv për gazetën “Panorama Sport”, është trajneri Gjoka që i përgjigjet kryebashkiakes.

GJOKA

“Çdo njeri ka mendimet e veta dhe thotë ato gjëra siç i mendon”, shprehet fillimisht ish-trajneri.

I pyetur në lidhje me mungesën e impenjimit të stafit dhe lojtarëve 6 javë nga fundi, Gjoka përgjigjet:

“Për mua nuk ka asnjë problem. Çdo njeri bën punën e vet. Ne nuk e bëmë punën tonë, ndërsa ajo bën punën e vet.

Për mua nuk ka asnjë problem se çfarë deklaron. Unë nuk merrem me kryebashkiaken, pasi edhe Ademi ka të drejtën e vet që të flasë”, tha ish-tekniku i skuadrës shkodrane.