Igli Tare bëhet gati t’I dhurojë Lacios një tjetër goditje nga ato që e kanë kthyer në një nga magjistarët e merkatos në Europë. Drejtori sportive i lacialëve, pas kritikave që ka marrë për blerjet e fundit si Vedat Muriqi, që deri tani nuk kanë justifikuar shpenzimin e klubit, duket se ka pikëtuar një lëvizje “loë cost” për të ardhmen. Një nga ato zbulimet e tij që më pas mbushin arkat e klubit.
Në ditët e kaluara, në mediat italiane është kritikuar puna e Tares, duke llogaritur se të gjitha blerjet e këtij sezoni, me në krye Vedat Muriqin, nuk kanë dhënë sa pritej dhe kjo është arsyeja se pse Lacio është shumë larg pritshmërisë në kampionatin italian, edhe pse në Ligën e Kampioneve bëri relativisht mirë.
“Il Messaggero”, pikërisht gazeta që e kishte kritikuar Taren për punën e bërë këtë verë, është e sigurt se ai ka bër gati “hakmarrjen” me lojtarin e ri që ka piketuar në Serbi. Nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij, Tare ka hedhur sytë nga Dimitrije Kamenoviç, një lojtar 20-vjeçar, i cili aktivizohet në radhët e Çukariçki në kampionatin serb.
Ai vlerësohet si një futbollist me shumë potencial ndaj Tare është gati të mbyllë sa më parë marreveshjen me të, për ta vënë në dispozicion të Inzagit e për të investuar te një lojtar i cili në të ardhmen mund të sjellë dhjetëra milionë euro në arkat e klubit, siç pritet të ndodhë në verë me Milinkoviç-Saviç. /vipsport/