Paolo Dybala ka vendosur përfundimisht për të ardhmen tij. Futbollisti argjentinas ka udhëtuar me avion privat drejt Portugalisë, atje ku e pret Roma. Mourinho e telefonoi personalisht pak ditë më parë dhe duket se një njeri si “special one“ nuk mund të refuzohej.
Kështu, ish-sulmuesi i Juventusit i bashkohet Romës në Portugali, atje ku janë duke zhvilluar fazën përgatitore për sezonin e ri.
Gazetari i “Sky Sport“, Gianluca di Marzio, është ai që zbulon të ardhmen e Dybala-s. Ky i fundit do i nënshtrohet fillimisht testeve mjekësore dhe menjëherë pas tyre do vihet nën urdhërat e Jose Mourinho-s.
Te verdhekuqtë, Dybala do të jetë shok skuadre edhe me mbrojtësin shqiptar, Marash Kumbullën. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi.