E priti gjatë, por durimi u shpërblye, sepse këtë javë Teuta do të ketë një mbrojtës më shumë, një lojtar mjaft cilësor për pjesën e dytë të sezonit, si Renato Arapi.
32-vjeçari lë Turqinë pas dy vitesh të suksesshme në Ligën 2 turke, ku verën e shkuar firmosi për Afjet Afyonspor, ndërsa tashmë bëhet gati të veshë fanellën e ekipit ku është formuar si futbollist, por ku nuk ka luajtur asnjë ndeshje si profesionist.
“Supersport” lajmëron se Arapi do të firmosë të enjten, pasi ka zgjidhur gjithë problemet që e mbanin pezull me klubin turk.
Prej javësh në Shqipëri, Arapi është stërvitur rregullisht për të qenë gati për Teutën dhe tashmë më në fund mund të marrë frymë i qetë, ashtu si trajneri Bledi Shkëmbi, që bashkohet me Arapin tashmë si trajner, pasi më parë kanë kaluar së bashku 6 vite shumë të suksesshme në Korçë, duke shkruar historinë e futbollit korçar.
Me Arapin Teuta përforcon ndjeshëm mbrojtjen, sidomos në qendër të saj, aty ku janë edhe Tefik Osmani, Shkalla e Bicaj.