Pas fushave të blerta, tashmë frika e trukimeve të ndeshjeve ka zbritur edhe në parketet shqiptare.
Gjithçka mbetet një hipotezë, por bëhet fjalë për basketboll dhe për ndeshjen mes Elbasanit dhe Barleti Eagles, skuadra të cilat luajnë në Kategorinë e Dytë në vend.
E gjithë kjo, për shkak të një e-mail jo zyrtar të mbërritur në Federatën Shqiptare të Basketbollit nga një kompani bastesh e quajtur “Broker Odds”.
Emaili është i shkruar në gjuhën shqipe, në një kohë kur prej 1 janarit çdo kompani bastesh, përfshirë edhe ato online, janë të ndaluara me ligj të operojnë online. Në këtë e-mail denoncohet se ne ndeshjen Elbasani-Eagles të fituar nga vendasit, janë vendosur shuma të mëdha parash për fitoren e Elbasanit në një kohë kur Eagles kryeson kampionatin dhe është vetëm një fitore larg titullit nga Kategorinë e Dytë. I gjithë ky e-mail i errët që godet klube dhe individë me emra konkretë për arsye të panjohura është komentuar nga sekretari i përgjithshëm i FSHB, Korab Llazani, i cili ja kalon përgjegjësitë organeve hetimore.
Nga ana tjetër, i intervistuar ekskluzivisht nga A2 CNN, trajneri i Barleti Eagles, Klarent Dedaj mohon gjithçka lidhur me këtë çështja si dhe është i hapur për çdo hetim. Gjithçka mbetet mister, në një kohë kur bastet janë të ndaluara në Shqipëri dhe është pikërisht një kompani që denoncon në gjuhën shqipe, një skandal të mundshëm në basketbollin shqiptar.