Nga Endri ÇINARI

Merkato ende nuk është hapur zyrtarisht, por zërat për lëvizje futbollistësh janë të shumtë. Një ndër ta është edhe Uheid Hoxha, mesfushori shkodran që mbylli sezonin tek Burreli. Në fakt 23-vjeçari ishte pjesë e Phoenix në kampionatin kosovar në fazën e parë. Por pjesën e dytë të sezonit e zhvilloi në Burrel, ku siguroi së bashku me skuadrën qëndrimin në Kategorinë e Parë.

Megjithatë aventura e fantazistit me klubin matjan duket se nuk do vijojë më. Kjo pasi dy palët kanë pasur një marrëveshje vetëm 6 mujore. Nga ajo që mëson “Shkodra Sport”, Hoxha me shumë mundësi do e vijojë karrierën e tij në Kosovë. Disa ekipe kanë shfaqur interes për shërbimet e ish-futbollistit të Vllaznisë, ku duan ta kenë në gjirin e tyre.

Por për Hoxhen ka interes edhe nga Shqipëria dhe konkretisht nga Kategoria e Parë. Ende nuk ka asnjë lëvizje zyrtare për mesfushorin. Por duket se shumë shpejt ai do gjejë skuadrën me të cilën do luajë në sezonin e ri. Përveç Vllaznisë, në Superligën shqiptare, Hoxha është aktivizuar edhe me Teutën.

Po ashtu ai ka kaluar edhe një aventurë në rradhët e Besës dhe së fundmit Burrelit në Kategorinë e Parë. Duke mos harruar këtu edhe eksperiencën e tij në Kosovë me Phoenix, në gjysmën e sezonit që sapo u mbyll./www.shkodrasport.com/