Enis Bardhi është zyrtarisht lojtari më i ri i kampionëve të Turqisë, Trabzonspor.
Shqiptari i Maqedonisë së Veriut ka bërë kështu një hap përpara në karrierë duke mbyllur aventurën 5-vjeçare me Levanten në Spanjë.
Skuadra nuk mbijetoi në La Liga sezonin e kaluar (vendi i 19) dhe tashmë numri 10-të do të jetë pjesë e skuadrës turke që mban statusin e ekipit kampion dhe do të luajë në grupet e Champions League.
Mesfushori ka zbarkuar në Trabzon, me turqit që kanë derdhur në arkat e spanjollëve 8 milionë euro.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Është një nder i madh për mua të jem pjesë e Trabzonspor. Championsi? Ishte diçka që e prisja prej kohësh dhe tani mund të luaj.
Jam shumë i lumtur.” – tha Bardhi për mediet turke sapo zbarkoi në aeroport.
27-vjeçari ka luajtur më parë në Hungari me Ujpest (2014-2017) dhe te Levante kaloi pesë sezone duke lënë një “pasuri” me 24 gola në 162 ndeshje. Me përfaqësuesen, mesfushori i lindur në Shkup numëron 48 ndeshje dhe 11 gola nga viti 2015.