Prej disa ditësh, ekipi i Pogradecit i është rikthyer sërish proçesit stërvitor, teksa po vijon të zhvillojë seancat stërvitore në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”. Samuel Nikaj, trajneri shkodran i liqenorëve, në një intervistë për “Shkodra Sport”, tregoi planin që ka me skuadrën për pjesën e dytë të sezonit, si edhe atë që pret nga merkato.
“Kemi filluar prej disa ditësh stërvitjen. Normalisht, kemi filluar pak shpejt, sepse pushimet i morëm pak më herët. E zgjodha vetë këtë mënyrë.
Objektivi? Objektiv kemi daljen në Kategorinë e Parë dhe vendin e parë ku jemi momentalisht, por kjo do punë, do sakrificë dhe shpresoj që edhe me pak fat, të arrijmë aty ku jemi nisur.
Merkato? Presim një ose dy afrime që të kompletohemi 100%. Megjithatë, edhe po nuk u afrua asnjë futbollist, unë jam i kënaqur me grupin e lojtarëve që kam, sepse me këtë grup kemi arritur të kapim vendin e parë. Largime? I njëjti grup është. Mund të largohen një ose dy futbollistë, që kanë patur më pak minutazh.”
Pogradeci i Samuel Nikajt e ka mbyllur gjysmën e parë të kampionatit të Kategorisë së Dytë në vendin e parë në renditje, duke u shpallur në këtë mënyrë kampion dimri./M.P/SHKODRA-SPORT.COM/