Shqipëria do të mësojë të mërkurën e ardhshme se si do të jetë rrugëtimi i saj drejt turneut madhor të radhës, Botërorit 2022. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mblidhet më 4 dhjetor dhe do të përcaktojë jo vetëm formulën e ndarjes së grupeve për kualifikueset që nisnin në vitin 2021, apo edhe për çfarë do të luhet Liga e Kombeve në vitin 2021.

Gjëja më e rëndësishme e mbledhjes do të jetë të përcaktojë formulën e grupeve të kualifikueseve të Botërorit, se sa do të jenë dhe ku do të bazohet ndarja në vazo e ekipeve pjesëmarrëse për shortin që hidhet në vitin e ardhshëm.

Po aq i rëndësishëm do të përjetë përcaktimi i formulës së play-off, pasi përveç fituesve të grupeve që shkojnë direkt në Botëror, do të jenë edhe skuadrat e dyta që do të kenë një shans për të shkuar në turne nëpërmjet eliminimit direkt.

Në këtë pikë, do të diskutohet edhe nëse do të ketë ndonjë nga skuadrat fituese të Ligës së Kombeve të vitit 2021 si pjesëmarrëse të play-off. Por të gjitha variantet që propozohen favorizojnë vetëm skuadrat nga Liga A, për t’u siguruar që të gjithë emrat e mëdhenj të kontinentit të shkojnë në turne.

Njëkohësisht në këtë mbledhje do të zyrtarizohet edhe rrugëtimi i Ligës së Kombeve, data e shortit për turneun dhe prcedurat që do të ndiqen për ndeshjet me shpërndarjen e tyre sipas ligave të ndryshme.

Nëse nuk do të shërbejë për Botërorin, Liga e Kombeve pritet të ketë një objektiv të caktuar për ligat më të ulëta, përveç atyre skuadrave të Ligës A që do të diskutojnë për trofeun. Me pak fjalë, Shqipëria mëson nga kjo mbledhje gjithçka që i duhet për dyvjeçarin e ardhshëm nën drejtimin e trajnerit Edi Reja ku Kombëtarja kuqezi nis një projekt të ri. /vipsport/