Legia e Varshavës dhe Levante kanë rënë dakord për transferimin e Armando Sadikut, sulmuesit të kombëtares shqiptare. Marrëveshja e lidh futbollistin me klubin “orriols” nga koha e tanishme deri në qershor 2020.
Sadiku lindi në Cërrik, në Elbasan (Shqipëri) më 27 maj 1991. Në vitin 2008 debutoi në radhët e K.F. Turbina Cërrik. Një sezon më vonë shkoi te K.S. Gramozi Ersekë dhe në edicionin 2010-2011 u angazhua me K.S. Elbasani.
Hapi i mëtejshëm ishte zbarkimi në Ligën Zvicerane, pas nënshkrimit me Locarno. Lugano dhe Zurich e pasurojnë përvojën e tij në futbollin zviceran. Në verën e vitit 2017 shkoi në Poloni, për të qenë pjesë e Legia Varshavës.
Armando Sadiku është pjesë e rëndësishme e kombëtares së Shqipërisë. Ai debutoi me përfaqësuesen shqiptare gjatë qëndrimit të Gianni De Biasit në stolin e “Shqiponjave Kuqezi” në një duel kundër Gjeorgjisë.
Sadiku mori pjesë në finalet e “Euro 2016”, në Francë.Ai shënoi në ndeshjen kundër Rumanisë (1-0). Sulmuesi do të ushtrohet këtë mëngjes, duke filluar nga ora 10:30, në ambientet e “Ciudad Deportiva de Buñol”, së bashku me pjesën tjetër të skuadrës së parë të Levantes.
Urimet e para, pas zyrtarizimit, që e ka bërë në faqen e vet edhe klubi spanjoll i La Liga-s, Sadiku i ka marrë nga Tramezzani dhe De Biasi, nën drejtimin e të cilëve pati një hop cilësor me fanellën kuqezi.
Levante, skuadra e re e shqiptarit, aktualisht ndodhet në vendin e 16-të të La Liga-s, pas 21 javësh kampionat, në kufirin e zonës së mbijetesës. Interesant është fakti se ndeshja e radhës për Sadikun dhe skuadrën e tij të re do të luhet kundër gjigantëve spanjollë dhe europianë, Real Madridit, më 3 shkurt, në orën 20:45.
Mbetet të shihet nëse sulmuesi shqiptar do të përfshihet në lojë, qoftë edhe me minutazh të reduktuar, pasi koha në dispozicion për t’u përshtatur është e vogël./telesport/