Sponsori i ri i fanellës së Juventusit “Ita Airways” është kthyer në një rast real ngërçi, nën dritën e ndërhyrjes së kryeministes italiane Giorgia Meloni. Kjo e fundit bllokoi gjithçka, me klubin bardhezi që nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të merrte parasysh këtë vendim të qeverisë.
Juventusi, pasi mbylli marrëveshjen shumëvjeçare me “Jeep”, e cila kishte garantuar 341 milionë euro për 12 sezone, kishte lëvizur për një sponsor të ri, që do të ekspozohej në fanellën e lojtarëve të Thiago Motta.
Fillimisht emri më i njohur ishte “Amazon”, por gjërat nuk përparuan me konkretizim. Kështu u hap një tjetër kanal me “Ita Airways”, i cili rezultoi me fat, mbi bazën e rreth 41 milionë eurove për tri sezone. Një situatë më pak e favorshme se ajo e mëparshmja, por që gjithsesi i dërgoi palët në marrëveshje, edhe në kushtet e kufizimeve kohore.
Megjithatë, në këtë moment, siç konfirmon edhe “Lettera43”, marrëveshja e lidhur është ndërprerë me ndërhyrjen e qeverisë. Giorgia Meloni ka ndërhyrë personalisht për të ndaluar gjithçka. “Ita Airways”, pa ndryshimin e radhës të pronësisë, me kalimin në “Lufthansa” (e cila do t’i shkonte mirë Juventusit), është ende në pronësi të Palazzo Chigi. Ky i fundit, për këtë arsye, ka ende të drejtën për të vendosur. Marrëdhëniet midis qeverisë “Meloni” dhe “Stellantis”, president i së cilës është Elkann, janë të dobëta.
“Stellantis” në fakt akuzohet se kohë më parë ka vendosur të zvogëlojë prodhimin në Itali. Për këtë arsye, kryeministrja kundërshtoi sponsorizimin, e nxitur nga dëshira për të mos garantuar 41 milionë euro për ata që nuk kishin paraqitur ende një plan industrial për ruajtjen e prodhimit dhe punësimit në Itali. Me pak fjalë, një ngërç që ndërlikon planet e Juventusit./telesport/