Tjetër barazim për Vllaznia U19, i pesti në shtatë javët e para të kampionatit. Nuk i kishte ndodhur prej vitesh këtij ekipi, kjo që po i ndodh sivjet. Dhe ajo çfarë është më e çuditshmja, ky ekip ende nuk e njeh shijen e fitores!!!
Nuk i kishte ndodhur asnjëherë gjatë gjithë këtyre viteve dhe mbase as vetë trajneri Zmijani nuk është në gjendje ta shpjegojë saktësisht se çfarë po ndodh.
Një ekip që barazon me vendin e fundit të renditjes, madje brenda në Shkodër dhe po ashtu, shkon i merr barazimin ekipit kryesues të kampionatit në një ndeshje në transfertë.
Ka ndodhur kështu teksa sot, Vllaznia U19 i ka marrë barazimin Tiranës në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Skënder Halili” të kryeqytetit teksa ndeshja është mbyllur në barazim 0-0.
Duhet thënë se paraqitja e ekipit shkodran në këtë takim ka qenë e mirë dhe ndonëse ai ka luajtur që nga minuta e 67-të me një futbollist më pak pas daljes me karton të kuq të Çulajt, sërish ka rezistuar duke i marrë pikën ekipit kryesues të kampionatit.
Me 5 pikë, ekipi shkodran ndodhet aktualisht në vendin e tetë të renditjes megjithatë pas barazimit të sotëm, me shumë siguri gjërat do të vijnë duke u ndryshuar në ndeshjet e ardhshme dhe barazimet do të shndërrohen shpejt në fitore.
© shkodrasport.com