Kukësi do të luajë nesër ndeshjen e kthimit për Ligën e Kampionëve, ku përballë do të ketë Karabakun. Ndeshja që do të luhet në Baku, duket se është shoqëruar me 1 mijë probleme për verilindorët ende pa nisur.
Përveç faktit që skuadra ka udhëtuar me dy grupe drejt Azerbaixhanit duke qenë se nuk janë gjetur bileta dhe kanë qëndruar disa orë tranzit në Turqi, nga Azerbaixhani Kukësi ka marrë njoftimin se lojtarët me pasaportë nga Kosova nuk mund të fluturojnë atje, duke qenë se azerët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
N klubin verilindor, ka 3 kosovarë ku Besar Musollit dhe Donjet Shkodrës iu është bashkuar edhe Faton Maloku. Ky i fundit, ka mbetur në Shqipëri duke qenë se ka vetëm pasaportë kosovare dhe për pasojë nuk mund të udhëtojë.
Nga ana tjetër, Musolli ka edhe pasaportë shqiptare, të cilën e pat përfituar në debutimin e Kukësit në Europë, kur luante ndaj Metalurgut duke qenë se Ukraina nuk e lejonte të shkonte atje.
Ashtu si Musolli, as Donjet Shkodra nuk ka hasur probleme, duke qenë se gëzon një pasaportë belge dhe shteti azer nuk mund t’ia ndalojë hyrjen me pretekst prejardhjen. /Vipsport/