Duhej të ishte sezoni i rifillimit dhe i konfirmimit si një mbrojtës elitar në Europë, por gjërat po shkojnë shumë keq për kapitenin e përfaqësueses shqiptare, Mërgim Mavraj. Ky i fundit në fakt është aq shumë larg formës që pritej, sa nga Greqia bëjnë të ditur se klubi i Aris është gati që tani të ndërpresë kontratën që lidhi me të në verë.

Maraj u prit si hero te Aris, por paraqitjet e tij kanë lënë shumë për të dëshiruar dhe pasoja ka qenë një seri rezultatesh shumë negative me të në fushë. I fundit, humbja 3-2 përballë Egotelis të kategorisë së dytë greke, i kushtoi Aris eliminimin nga Kupa e Greqisë dhe tifozët kanë filluar kontestimet e skuadrës sapo ajo është kthyer në Selanik nga Athina.

Mediat greke raportojnë se kjo ka shtyrë presidentin e klubit, Teodoros Karipidis, të vendosë të “presë koka” dhe emri i parë që ka piketuar është pikërisht ai i kapitenit të përfaqësueses shqiptare. Biznesmeni grek ka pranuar se ka bërë në investim të madh për të afruar lojtarin, por në këtë situatë dhe formë që po paraqet Mavraj, ky investim sipas tij nuk është i justifikuar.

Ndaj pritet që në ditët në vijim palët të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë ndërprerjen e parakohshme të marrëveshjes mes tyre. Nëse një gjë e tillë ndodh, për Mavrajn dhe padyshim për kombëtaren shqiptare do të ishte një telash i madh, pasi mbrojtësit do t’i duhej të kërkonte një sistemim të ri e kësisoj të humbte kohë jashtë fushave të lojës, vetëm pak muaj para fillimit të eliminatoreve të Europianit. /vipsport/