Kombëtarja shqiptare e futbollit humbet lojtarë të tjerë si pasojë e dëmtimeve. FSHF ka bërë të ditur se sikur të mos mjaftonin mungesat e atyre që vendosën të mos bashkoheshin me kombëtaren, në ndeshjet e radhës do të mungojnë tre lojtarë të tjerë, dy prej të cilëve ishin planifikuar si titullarë.

Thomas Strakosha, Myrto Uzuni dhe Jon Mersinaj, nuk do të jenë pjesë e kombëtares për këto ndeshje pasi janë të dëmtuar. Strakosha erdhi me probleme fizike në vendin tonë dhe fakti që ai nuk ishte në gjendje të mirë shtyu Rejan të grumbullonte me urgjencë edhe Alban Hoxhën e Gentian Selmanin. Edhe Mersinaj nuk ishte në formën më të mirë ndonëse provoi të stërvitjet me grupin këto ditë.

Ndërsa dëmtimi i Uzunit është surpriza më e pakëndshme, pasi lojtari kishte ardhur me shumë entuziazëm për të luajtur dhe për të qenë titullar, meqë po kalonte një formë të shkëlqyer në klubin e Ferencvarosh. FSHF ka vendosur të mos thërrasë lojtarë të tjerë për të përballuar këto sfida, meqë Vrioni do t’i bashkohet skuadrës, ndërsa edhe Bullari është kthyer te U21.

NJOFTIMI

Lista e Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e Nations League në transfertë ndaj Kazakistanit më 11 tetor dhe Lituanisë më 14 tetor do të pësojë sërish ndryshime për shkak të dëmtimeve.

Thomas Strakosha, Myrto Uzuni dhe Jon Mersinaj, për shkak dëmtimi, pas konsultave me stafin mjeksor të kuqezinjve, nuk do të jenë të gatshëm për dy sfidat e radhës.

Që nga dita e djeshme me ekipin po stërvitet edhe Etrit Berisha, i cili mundi të sigurojë lejen për të qenë pjesë e kuqezinjve, ndërsa sot në mesditë me ekipin përfaqësues është bashkuar edhe sulmuesi i Juventusit, Giacomo Vrioni.

Sa i përket sulmuesit të kombëtares U-21, Emiljano Bullari, do të kthehet sërish tek skuadra e Shpresave.