Klevis Hasanbelli zyrtarisht nuk është lojtar i Bylisit. Vetë portieri ka njoftuar largimin e papritur, para fazës së fundit të kampionatit.
Hasanbelli tregon se “divorci” erdhi për shkak se mungoi rinovimi i kontratës.
“Nga sot unë nuk jam më pjesë e Bylisit. Për shkak të mos rinovimit të kontratës, vendosëm që të gjenim një gjuhë të përbashkët me klubin duke ndërprerë bashkëpunimin. Dhe nga sot jam një lojtar i lirë. I uroj çunave sa më shumë suksese”, shkruhet nga 27-vjeçari.
Klevis Hasanbelli u afrua në verë te klubi ballshiot, ndërsa nga fundi i nëntorit kishte fituar vendin e titullarit. Më parë ka qenë pjesë e Erzenit, Egnatias, Pogradecit, Laçit dhe Turbinës.