Pep Guardiola sapo konfirmoi edhe një herë dominimin e Mançester Siti në kampionatin anglez me fitoren për të katërtin vit radhazi të titullit, të 6-in në 7 vitet e fundit. Por duket se epokës së tij në futbollin anglez shumë shpejt do i vijë fundi.
Britanikja “Daily Mail” ka bërë të ditur se në klubin anglez, të gjithë duken të bindur se sezoni 2024-2025, do të jetë i fundit me Guardiolën në drejtimin e skuadrës.
Trajneri ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij dhe pavarësisht tentativave të Sitit për të rinovuar, nuk ka marrë asnjë hap në këtë drejtim. Ndaj mendohet se po bëhet gati të mbyllë aventurën e tij në Angli pasi të përfundojë marrëveshja mes palëve.
Ai ka fituar 15 trofe madhorë me klubin dhe parashikohet që të sigurojë edhe të tjerë para se ta mbyllë me anglezët, të cilët po monitorojnë që tani pasardhës të mundshëm të tij. Një nga emrat raportohet se është Mishel i Zhirones, i cili ka bërë mrekulli me klubin e vogël duke e kthyer në pretendente për titullin në këtë sezon dhe siguruar Ligën e Kampioneve.