Nga Kosova sot ka ardhur një lajm krejtësisht i papritur. Zyrtari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj ka njoftuar largimin nga posti që mbante në institucionin më të rëndësishëm të futbollit në Kosovë.
Taulant Hodaj njofton se nuk do të jetë më përfaqësues ligjor i FFK-së. Hodaj thotë se ia ka njoftuar vendimin e tij presidentit Agim Ademi, duke hequr kështu dorë nga detyra që ushtronte.
NJOFTIMI I PLOTË I TAULANT HODAJT:
Njoftim për ndërprerjen e bashkëpunimit me Federatën e Futbollit të Kosovës
Me keqardhje, por edhe me ndjenjën e përgjegjësisë profesionale, kam njoftuar sot kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës për vednimin për përfundim të bashkëpunimit tim si avokat dhe përfaqësues juridik i FFK-së. Ky vendim erdhi pas një sërë ngjarjesh dhe praktikash të përsëritura nga FFK që kanë qenë në kundërshtim me parimet e mia profesionale, veçanërisht në lidhje me pengesat dhe qasjet e ndryshme rreth përfaqësimit të rastit në CAS Lozanë kundër Rumanisë. Besoj se kjo qasje e FFK-së do të dëmtoj shanset e Kosovës për të fituar rastin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe reputacionin futbollistëve dhe ekipit kombëtar. FFK-ja është njoftuar për këtë dhe arsyet e tjera kyçe të ndërprerjes së bashkëpunimit.
Gjatë angazhimit tim si avokat i FFK-së, dhe për një periudhë të caktuar edhe si ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, kam dhënë kontribut maksimal për mbrojtjen ligjore të institucionit të FFK-së, ngritjen e kapaciteteve profesionale konform praktikave ndërkombëtare, hartimin e akteve normative dhe përfaqësimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.
Në këtë periudhë:
Zyrat e Sekretarit të Përgjithshëm dhe ato ligjore, të cilat ishin thuajse jofunksionale, janë bërë plotësisht operative.
Asnjë çështje juridike kundër FFK-së nuk është humbur, pavarësisht sfidave të shumta ligjore.
Është përmbyllur me sukses procesi i licencimit, i cili filloi nga një bazë gati jo-ekzistuese.
Janë hartuar Statuti i ri dhe aktet normative, duke shërbyer si model për organizatat e tjera të futbollit.
Është mbrojtur me të gjitha mjetet juridike ri-zgjedhja e kryetarit aktual të FFK.
Kam përfaqësuar denjësisht dhe me profesionalizëm FFK-në pranë institucioneve vendore dhe organizatave ndërkombëtare të futbollit në UEFA dhe FIFA, aq sa kam pas autorizime.
Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm në futboll – lojtarë të talentuar, klube që me përkushtim mbajnë gjallë garat kombëtare dhe përfaqësojnë me krenari vendin tonë në garat ndërkombëtare, si dhe një staf të përkushtuar brenda FFK-së. Ka qenë një privilegj dhe kënaqësi të bashkëpunoj me ta.
Edhe pse nuk do të jem më pjesë e FFK-së, në cilësinë e avokatit dhe ekspertit, do të vazhdoj të jem në krah të futbollistëve, klubeve të futbollit të vendit tonë dhe lojtarëve të Kombëtareve të Kosovës.
Shpresoj dhe dëshiroj që FFK-ja të rritet dhe të forcojë kapacitetet e saj, në mënyrë që futbolli ynë të arrijë sukseset që meriton – për hir të lojtarëve, klubeve dhe vendit tone, i cili ka potencial të jashtëzakonshëm në futboll dhe urgjentisht ka nevojë për një përfaqësim më dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Me respekt,
Taulant Hodaj