Trajneri i Krui Aleksandras, Dejv Artell, i ka premtuar tifozëve se lojtarët do t’i kthejnë atyre paratë që i kanë shpenzuar për të udhëtuar në Eseks, dhe për të blerë biletat për hyrjen në stadium.
Krui Aleksandra luan në Ligën Dy, nivelin e katërt të futbollit në Angli, dhe në ndeshjen kundër Kolçester, ata pësuan një disfatë të thellë, me rezultatin 6-0.
Ata pësuan tri gola në pjesën e parë dhe tri të tjera në pjesën e dytë të ndeshjes. Kjo performancë ishte plotësisht e papranueshme për trajnerin Artell, për këtë arsye tifozët do t’iu kthehen paratë e shpenzuara.
“Ishim të tmerrshëm dhe për këtë arsye do t’ua zgjidhin problemin tifozëve. Lojtarët do të paguajnë nga xhepi i tyre për biletat e ndeshjes sepse tifozët e meritojnë këtë pasi që kanë udhëtuar vetëm për të na mbështetur”, ka thënë Artell.
“Ne do t’ua kthejmë paratë sepse nuk është e drejtë që ata të paguajnë për një performancë të tillë. Nuk është një gjest i mrekullueshëm, është minimumi që mund të bëjmë”.
“Paraqitja është e papranueshme dhe nëse do ta kisha mundësinë t’i zëvendësojë nëntë lojtarë pas përfundimit të pjesës së parë, do ta bëja një gjë të tillë”.